Contio

Asamble publike në Romën e Lashtë

Contio (forma në shumës "contiones"; nga fjala latine "conventio" që do të thotë "mbledhje") ishte një asamble publike ad hoc në Romën e Lashtë, e cila ekzistoi gjatë monarkisë si dhe Republikës dhe Perandorisë Romake.[1]contio, magjistratët informonin qytetarët romakë mbi çështje të ndryshme lidhur me politikën. Dallimi kryesore midis contio dhe asambleve të tjera publike në Romë, siç ishte comitia, është se qytetarët që ndiqnin contiones ishin aty për të dëgjuar fjalime dhe jo për të votuar. Contio kishte thjeshtë një funksion komunikativ, duke u ofruar magjistratëve mundësinë për ti dhënë popullit një raport se çfarë ishte vendosur gjatë një mbledhjeje të senatit ose për të diskutuar një projekt-ligj të caktuar (rogatio) përballë qytetarëve për ti ndihmuar ata të vendosnin përpara se të të votonin mbi të në asembletë e tjera.[2]

Magjistratët e përdornin contio gjithashtu si një mjet vetë-promovimi, duke e paraqitur veten si politikanë të aftë dhe të ndershëm, që mbanin interesat e popullit në mendje (me fjalë të tjera, aderonin në ideologjinë popularis), duke shpresuar të fitonin simpati dhe mbështetje nga populli.[3] Përveç një asambleje politike, fjala "contio" mund ti referohej edhe një lloj fjalimi ushtarak romak.

Funksioni në politikën romake

Redakto

Praktika e mbajtjes së contiones thuhet se ka filluar nën monarkinë romake, kur mbreti (rex) ishte i vetmi që mund të thirrte një contio ashtu si dhe personi i vetëm që kishte të drejtën të fliste në këtë asamble. Në këtë mënyrë contio mendohet se ka filluar më herët sesa asambletë e tjera publike në Romën e Lashtë, meqë asambletë votuese nuk ekzistonin akoma nën mbretërinë romake.[4]

Proçedura dhe funksioni i contiones ndryshoi gjatë republikës dhe perandorisë. Çdo magjistrat, ashtu si dhe tribunët e popullit, fitoi të drejtën për të thirrur një contio dhe ti drejtohej turmës, ose për të ftuar të tjerët për të mbajtur fjalime mbi një çështje të caktuar.[5] Në teori, një contio mund të mbahej kurdoherë, në çdo ditë.[6] Sidoqoftë, contiones zakonisht mbaheshin në dy raste të posaçme: pas një mbledhjeje të senatit dhe kur një akt i ri legjislativ (rogatio) ishte propozuar.

Dhënia e një raporti pas një mbledhjeje të senatit

Redakto

Ishte një praktikë e zakonshme për të zhvilluar një contio menjëherë pas një mbledhjeje të senatit, për të informuar qytetarët rreth asaj që ishte diskutuar gjatë mbledhjes dhe çfarë dekretesh ishin bërë. Magjistrati që kryesonte mbi mbledhjen e senatit vendoste se kush do të fliste në këtë contio. Ai mund të zgjidhte ti drejtohej turmës vetë ose të ftonte senatorët e tjerë të mbanin një fjalim. Magjistratët që kishin kundërshtuar një dekret që ishte paraqitur në këtë contio të parë, shpesh zgjidhnin të zhvillonin contio-n e tyre pak ditë më vonë, për të ndarë këndvështrimin e tyre të ndryshëm.

Qytetarët romakë mund të mos i ndiqnin vetë mbledhjet e senatit, pasi vetëm senatorët lejoheshin brenda curia gjatë atyre mbledhjeve. Në këtë mënyrë contio ishte një burim i rëndësishëm informacioni për qytetarët, që donin të dinin se çfarë po ndodhte në politikë.[7]

Diskutimi i një akti (rogatio)

Redakto

Contiones formonin një hap i nevojshëm në proçesin legjislativ të vlerësimit të ligjeve të reja. Kur një magjistrat ose tribun donte të propozonte një akt legjislativ (rogatio) që duhet të vlefshmërohej nga proçesi i votimit në comitia, rregullat për proçeset legjislative autorizonin aktin për tu paraqitur dhe diskutuar nga këndvështrime të ndryshme, para popullit në contiones së pari. Kjo i lejonte popullit të krijonte opinionin mbi aktin para se të votonte dhe t’u jepte mbështetësve dhe kundërshtarëve të projekt-aktit një mundësi për të ndarë pikëpamjen e tyre dhe të ndikonin opinionin publik, si në favor ashtu dhe kundër projekt-aktit.[8]

Raste të tjera

Redakto

Dy situatat e përshkruar më sipër ishin rastet më të zakonshme gjatë të cilave zhvillohej një contio, por kishte mjaft raste të posaçme gjatë të cilave kjo asamble gjithashtu mund të thirrej:[9]

  • Para zgjedhjeve të magjistratëve të rinj, zhvillohej një contio për të prezantuar listën e kandidatëve dhe për tu dhënë qytetarëve disa udhëzime se si të votonin.
  • Para një censusi, censorët mund të thërrisnin një contio për t’u shpjeguar proçedurën qytetarëve. Pas censusit ata me gjasa paraqisnin listat e reja të senatorëve dhe equites te populli nëpërmjet kësaj asambleje.
  • Gjeneralët e suksesshëm romakë shpesh zhvillonin një contio ditën pasi hynin në qytetin e Romës dhe kremtonin triumfin e tyre, duke mbajtur një fjalim mbi arritjet e tyre.
  • Contiones thirreshin kur zhvillohej një ekzekutim publik (por jo ato të grave).
  • Kur një magjistrat i ri, si një konsull, hynte në zyrë, ai mund të zgjidhte të përdorte contio për të mbajtur një fjalim që të shprehte mirënjohjen e tij për qytetarët që e kishin zgjedhur. Magjistratët që linin postin mundeshin të thirrnin një contio po ashtu, për të dhënë një përmbledhje të veprimtarive dhe arritjeve të tyre politike.
  • Contio përdorej për disa çështje fetare, si prezantimi i emrave të augurëve, vestaleve dhe priftërinjve të tjerë të rinj të caktuar në popull.
  • Fjalimet publike mortore (laudationes) në të cilët një magjistrat lavdëronte një individë të vdekur në emër të bashkësisë, zhvilloheshin në contio.

Audienca

Redakto

Në teori, çdo qytetar romak kishte të drejtën për të ndjekur contiones.[6] Turma në këtë asamble shihej si një përfaqësuese e poullit romak (populus) dhe kështu përmëndeshin nga folësit si populus (ose quirites).[10] Megjithatë, mendohet përgjithësisht se audienca përbëhej kryesisht nga qytetarë që jetonin brenda qytetit të Romës, poër ata banues të qytetit që kishin akses më të lehtë në asambletë votuese në të cilat ata do të votonin mbi projekt-aktet (rogationes) që ishin çështje e shumë contiones. Ata duket gjithashtu se kishin qenë më të vullnetshëm për të marrë pjesë në politikë sesa bashkë-qytetarët nga zonat e tjera.[11] Përgjatë kohës, u zhvilluan dy teori të veçanta, që përpiqen të shpjegojnë përbërjen e audiencës në mënyrë më të hollësishme. Një teori sugjeron se contiones ndiqeshin kryesisht nga vendasit e klasës së ulët, që jetonin afër forumit në të cilin mblidhej asambleja, ndërsa teoria e dytë pretendon se turma përbëhej kryesisht nga qytetarë të pasur të klasës së lartë.

Teoria 1: një audiencë e klasës së ulët vendase

Redakto

Kjo teori i parë pretendon se pjesa më e madhe e turmës në çdo contio përbëhej nga i njëjti grup i dyqanxhinjve vendas, që jetonin afër forumit dhe që ndonjëherë duket se e mbyllnin biznesin e tyre për të ndjekur një contio. Këta persona, ndonjëherë të quajtur plebs contionalis,[12] do të kishte për të fituar më shumë nga masat që diskutoheshin në contio, siç ishin shpërndarja e grurit dhe kështu ata do të ishin më të interesuarit për të shkuar. Sipas kësaj teorie, këta dyqanxhinjë bashkoheshin nga të tjerë romakë të klasës së ulët, që përpiqeshin ti largoheshin kushteve të ngushta të strehimit të tyre duke dalë në vende publike si forumi. Në këtë mënyrë, shumica e turmës do të ketë qenë e përbërë prej romakësh të klasës së ulët.[13]

Teoria 2: një audiencë e klasës së lartë

Redakto

Teoria e dytë kryesore pretendon se audienca përbëhej kryesisht nga romakë të pasur të klasës së lartë. Sipas kësaj teorie, duke ndjekur rregullisht contiones duhet të ketë qenë më e lehtë për këta individë të pasur, meqë ata kishin më shumë kohë për të shpenzuar sesa qytetarët e klasës së ulët. Për më tepër, këta romakë të klasës së lartë duhet të kenë pasur arsimin që nevojitej për të vlerësuar dhe kuptuar argumentimin e përdorur nga magjistratët në fjalimet e tyre, që ndonjëherë përfshinte referenca të ndërlikuara ndaj historisë ose ligjit. Së fundmi, kjo teori pretendon se kjo klasë qytetarësh duhet të ketë qenë më e interesuar për magjistratët për të ndikuar nëpërmjet contiones, meqë këta individë të pasur, nga ana tjetër, e ndikonin opinionin publik mes romakëve të klasës së ulët nëpërmjet marrëdhënieve padron-klient.[14]

Fjalime të ruajtura dhe burime të tjera të lashta

Redakto

Megjithë shpeshtësinë me të cilën zhvilloheshin contiones, shumë pak fjalime të mbajtura janë ruajtur plotësisht deri më sot. Shumë fjalime contionale kanë humbur përgjatë kohës ose nuk janë rregjistruar kurrë në radhë të parë, me gjasa për shkak se çështja me të cilën ata mereshin nuk ishte mjaftueshëm e rëndësishme ose sepse folësi nuk përdorte strategji interesante ose figura të mira retorike.[15]

Ciceroni është burimi kryesor për këtë lloj oratorie.[16] Tabela më poshtë jep një përmbledhje të të gjithë fjalimeve të tij ekzistuese në contio.

Fjalimet e ruajtura contionale
Titulli Mbajtur në Tema
Pro lege Manilia 66 p.e.s. Në mbështetje të një ligji të propozuar nga C. Manilius, për të ndihmuar komandën e Pompeut në luftë kundër Mithridates.[17]
De lege agraria 2 63 p.e.s. Fjalimi përurues për popullin vitin konsullor të Ciceroit. Duke këshilluar kundër një ligji bujqësor të propozuar nga Servilius Ruli, një tribun i popullit. (Formoi një çift me De Lege Agraria 1 në të cilin ai diskuton të njëjtën çështje para senatit.)[18]
De lege agraria 3 63 p.e.s. Fjalim i shkurtër mbi një seksion të posaçëm të ligjit agrar të diskutuar te De lege agraria 2.[18]
In Catilinam 2 63 p.e.s. Duke e informuar popullin se Katilina ishte larguar nga qytet pasi Ciceroni i kishte kërkuar atij të largohej në fjalimin e tij në senat të njohur si In Catilinam 1.[19]
In Catilinam 3 63 p.e.s. Duke informuar popullin se si ishte gjetur dëshmitë për komplotin e Katilinës.[20]
Post reditum ad quirites 57 p.e.s. Shprehja e mirënjohjes ndaj popullit pasi Ciceroni ishte lejuar të kthehej në Romë pas ekzilit të tij.[21]
Philippic 4 44 p.e.s. Informon popullin për vendimin e senatit për të nderuar disa individë, mes të cilëve Oktavianin e ri, për veprimet që ata morën kundër Mark Antoniusit (gjyshi i Mark Antonit), duke e interpretuar këtë si një vendim për ta shpallur Antoniusin armik publik. (Ky fjalim formon një çift me Philippic 3.)[22]
Philippic 6 43 p.e.s. Informon popullin për vendimin e senatit për të dërguar një përfaqësi te Mark Antoniusi për negociata paqeje.[23]

Përveç atyre të tabelës së mësipërme, asnjë fjalim në contio nuk është ruajtur plotësisht. Ka, megjithatë, pak burime të tjera të lashta, që mundësojnë njohuri mbi këtë çështje. Veprat historiografike, kryesisht ato të Sallustit (një historian romak i shekullit të I p.e.s.) përshkruan disa fjalime që janë mbajtur në contio mbi çështje të rëndësishme në historinë romake.[24] Për më tepër, Ciceroni komenton mbi contiones në mjaft nga veprat e tij: te De Oratore, ne gjejmë disa shënime teorike mbi si ti drejtohesh kësaj asambleje (p.sh.: De Oratore 2.333–240) dhe his Epistulae ad Atticum përfshihen disa referenca ndaj contio gjithashtu (p.sh. Epistulae ad Atticum 7.8.5).[25]

Retorika

Redakto

Duke gjykuar nga këto materiale të burimeve të lashta të përshkruara më sipër, fjalimet e mbajtura në contio duket se ndanin mjaft karakteristika retorike dhe argumentuese. Kjo listë jep një përmbledhje të këtyre karakteristikave të fjalimeve drejtuar kësaj asambleje:

  • Oratori përpiqej ta bënte audiencën të kishte ndjenjën e përgjegjësisë ose të detyrimit kundrejtë të mirës së përbashkët dhe mirëqenies së republikës dhe bashkësisë.[26]
  • Oratori i lajkatonte qytetarët dhe i bënte të ndiheshin të rëndësishëm politikisht, që, nga ana tjetër, duhet të ketë rritur simpatinë që audienca ndjente kundrejtë magjistratit që u drejtohej atyre.[27]
  • Oratori përqëndrohej mbi 'persona-krijimin': duke e bërë veten të dukej më i besueshëm, i ndershëm dhe i interesuar përkundrejtë popullit, ndërsa i portretizonte kundërshtarët e tij politikë si mashtrues dhe të pashqetësuar për interesat e qyetetarëve.[28]
  • Oratori e prezantonte veten si një lloj mësuesi ose udhërrëfyesi, të etur për tu dhënë qytetarëve shpjegime në çështje politike. Kjo quhet "retorikë treguese" dhe shënohet nga përdorimi i shpeshtë i foljeve si "mësoj", "paralajmëroj", "tregoj" dhe "shpjegoj" (docere, monere, ostendere, exponere). Kjo duhet të ndikonte edhe në simpatinë e audiencës.[29]
  • Oratori përdorte të ashtuquajturin "stil-popularis" të retorikës, që karakterizohej nga shumë thirrje emocionale ndaj audiencës, për shembull duke evokuar frikën ose zemërimin, ashtu si dhe stilin e rrëmbyer të fjalimit, duke përfshirë variacione në tonin e zërit, shprehje fytyre të gjalla dhe gjeste të mëdha.[30][31]
  • Oratori përdorte fraza të shkurtëra, të mprehta, që synonin turmën, përveç pyetjeve retorike, për të bashkëvepruar me audiencën dhe për ta bërë turmën të shprehte mbështetjen e saj duke thirrur ose përgëzuar.[32]

Contiones ushtarake

Redakto

Përveç asambleve politike, fjala "contio" mund ti referohet edhe një lloj fjalimi ushtarak, në të cilin një komandant u drejtohej trupave të tij. Rregullat për thirrjen e contiones të këtij lloj ishin të ngjashme me ato për asambletë politike: nën monarkinë vetëm mbreti (rex) kishte të drejtën për ta bërë këtë; gjatë republikës çdo magjistrat me imperium e kishte këtë të drejtë. Ata zakonisht caktonin gjeneralin si folësin e vetëm. Contiones ushtarake ndanin karakterin komunikativ të njëemërsave të tyre politikë: ata nuk shërbenin për të votuar ose për të marrë vendime. Një contio ushtarak mund të zhvillohej gjatë rasteve të ndryshme:[33]

  • Në fillim të një fushate, komandanti i ri zakonisht zhvillonte një contio për të prezantuar veten te trupat e tij dhe për ti informuar ata mbi objektivat e fushatës.
  • Pas një beteje të suksesshme, zhvillohej një contio për të lavdëruar ushtarët e dalluar dhe për tu paraqitur atyre shpërblimet për arritjet e tyre.
  • Kur midis trupave ndodhte një rrebelim, një gjeneral mund të përdorte contio për të shpallur ndëshkimet që ushtarët do të mernin për veprimet e tyre rrebele.
  • Contiones ushtarake përdoreshin për të shpërndarë urdhërat, ediktet dhe çështje të rëndësishme politike me trupat.
  • Një contio mund të thirrej menjëherë para një beteje për të motivuar dhe inkurajuar ushtarët.

Shiko gjithashtu

Redakto

Shënimet

Redakto
  1. Pina Polo 1995, ff. 205–6, 211–12.
  2. van der Blom 2016, f. 34.
  3. Tan 2008, ff. 163–66.
  4. Pina Polo 1995, ff. 205–6.
  5. van der Blom 2016, ff. 33–34.
  6. 1 2 Pina Polo 1995, f. 207.
  7. Morstein-Marx 2004, ff. 246–48.
  8. Pina Polo 1995, ff. 207–8.
  9. Pina Polo 1995, f. 209–11.
  10. Mouritsen 2017, f. 75.
  11. Jehne 2013, f. 51.
  12. Mouritsen 2017, f. 63, gjurmimi i idesë së një plebs contionalis te Mommsen.
  13. Tan 2008, ff. 172–80.
  14. Mouritsen 2017, f. 73–79.
  15. Tan 2008, f. 170.
  16. Manuwald 2012.
  17. Jehne 2013, ff. 53–58.
  18. 1 2 Manuwald 2018.
  19. Manuwald 2012, ff. 162–63.
  20. Manuwald 2012, f. 165.
  21. Ciceroni (1923). "Speeches delivered after his return from exile: introduction". Orations: Pro Archia, post reditum in senatu, post reditum ad quirites, de domo sua, de haruspicum responsis, pro Plancio. 158 (në anglisht dhe latinisht). Përkthyer nga Watts, N. H. Loeb Classical Library. fq. 45.
  22. Manuwald 2012, ff. 170–71.
  23. Manuwald 2012, f. 172.
  24. Tan 2008, f. 164.
  25. Mouritsen 2013, ff. 63–71.
  26. Jehne 2013, f. 55.
  27. Jehne 2013, f. 59.
  28. Morstein-Marx 2004, f. 242.
  29. Morstein-Marx 2004, f. 251.
  30. van der Blom 2016, ff. 36–37.
  31. Morstein-Marx 2004, f. 271.
  32. Morstein-Marx 2004, ff. 140–43.
  33. Pina Polo 1995, ff. 213–15.

Bibliografia

Redakto