Nehat Islami

gazetar kosovar

Nehat Islami lindi më 1943 në Ferizaj, Kosovë. Është gazetar i shquar shqiptar nga Kosova.

Nehat Islami gjatë kohës si drejtor i Zyrës së Këshillit për Mediet e Shkruara të Kosovës [1]
Ballina e librit të Nehat Islamit "Hotel Bejruti" - Botuar nga KOHA, 2013. ISBN 978-9951-417-91-4

Gjimnazin e kreu në Prishtinë (1961), kurse Fakultetin Juridik në Universitetin e Zagrebit (1966). Punën e filloi më 1966 si bursist i gazetës "Rilindja". Një vit me vonë kaloi në Redaksinë Televizive të Kosovës, ku punoi deri më 1974, kur gazeta "Rilindja" e emëroi korrespodent të përhershëm të gazetës në Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, ku qëndroi deri në vitin 1979.

Është njohës i shquar i rrjedhave politike dhe historike të asaj pjese të botës. Pas Bejrutit u kthye në gazetën "Rilindja" në postin e redaktorit të politikës së jashtme. Pas mbylljes së "Rilindjes" nga regjimi i Millosheviqit, vazhdoi punën në gazetën "Bujku". Duke filluar prej vitit 1999, ka qenë drejtor i Institutit për monitorim të Luftës dhe Paqes (IWPR) për tri vjet, kurse prej vitit 2005 është drejtor i Zyrës së Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës.

Gjatë karrierës së tij të begatë realizoi intervista me personalitete të shquara siç ishin: humanistja Nënë Tereza, udhëheqësi historik palestinez Jaser Arafat, shkrimtari Ismail Kadare[2], poeti frëng Zhak Prever, shkrimtari kroat Mirosllav Krlezha, kryetari i Irakut Talabani, mbreti jordanez Hussein, etj.

Është autor i mbi 200 reportazheve dhe filmave dokumentarë televizivë dhe autor i mijëra reportazheve e shkrimeve të tjera gazetareske nga Kosova dhe Bota. Në dhjetor 2013, Koha botoi librin e tij të parë "Hotel Bejruti" një përmbledhje reportazhesh, analizash dhe shkrimesh nga Bejruti gjatë kohës kur ishte korrespondent i Rilindjes në Lindjen e Mesme. Libri i tij i dytë “Një adresë në Bukuresht” u botua në 2016 dhe është një përmbledhje mbresëlënëse artikujsh dhe intervistash të përzgjedhura brenda një periudhe 40-vjeçare.

Burime

Redakto